Kurti: Takimet me Vuçiqin në Bruksel do të duhej të ndodhnin çdo muaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të duhej të ndodhnin çdo muaj.

Sipas Kurtit më 18 gusht të 2022-ës, janë marrë vesh në Bruksel që takimet me presidentin serb të mbaheshin çdo muaj, megjithatë e njëjta nuk ndodhi pas propozimin franko-gjerman.

“Me datën 18 gusht të vitit të kaluar ne u patëm marrë vesh në Bruksel që do të takohemi për çdo muaj. Në shtator kjo nuk ndodhi, por në shtator erdhi propozimi franko-gjerman që e quajmë propozim i BE-së i mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe nuk pati takim deri më datën 21 nëntor. Unë besoj që është dashur të kemi takime më të shpeshta sepse edhe mospajtimi është i madh edhe besimi është i ulët. Por, nuk e di saktësisht pse ka ndodhur kjo. Megjithatë, jam me shpresën që këtë vit do të ketë një angazhim më të madh të BE-së dhe SHBA-së në mënyrë që të bëhet më shumë trysni mbi Beogradin, të ketë më shumë angazhim e plane për Ballkanin”, tha Kurti për rtk.

Kujtojmë se kryeministri Kurti kohë më parë deklaronte se nuk do të takohej me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, pa kërkuar falje për viktimat e luftës të kryera nga ana e Serbisë në Kosovë.