Kurti thekson përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me shoqatat e dala nga lufta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, Faton Klinaku dhe Emin Lati nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Shurdhaj nga Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Me këtë rast Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me shoqatat e dala nga lufta, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.

“Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe Shqipe Selimi, Enver Dugolli, Aziz Bici dhe Furtuna Sheremeti, është biseduar rreth ngjarjeve aktuale në vend me fokus në amandamentimet e nevojshme legjislative, dhe për tema të rëndësishme që lidhen me statusin dhe gjendjen e veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare dhe familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.