Kurti vizitoi familjet Binakaj dhe Maloku që humbën familjarët në Kroaci

0
80

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi për ngushëllime familjen e Valentina Zhubi Binakajt, në Baballoq të Deçanit dhe Gjylë Malokut në Junik, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik para një javë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Kurti u shprehu ngushëllime familjarëve dhe i inkurajoi që të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen që, siç tha ai, është dhimbje e mbarë popullit.

Familjarët e falënderuan kryeministrin për vizitën dhe për angazhimin e kujdesin që ka treguar Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Kroacisë për të lënduarit dhe për kthimin e trupave të më të dashurve të tyre në Kosovë. Kurse të lënduarve iu dëshiruan shërim të plotë.

Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës do t’ju qëndrojnë afër të lënduarve që të tejkalojnë më lehtë pasojat e aksidentit.

Ndryshe, gjatë javës, kryeministri Kurti ka vizituar për ngushëllime edhe familjet e tetë viktimave të tjera të aksidentit fatal të autobusit me bashkatdhetarë, të cilët po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.