Kurz: Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë rrugën e marrëveshjes

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa ka vlerësuar si shumë të rëndësishme që të zhvillohen takime të tilla në mes të Kosovës dhe Serbisë, transmeton Gazeta Metro.

Kurzi tha se këto bisedime nuk janë të thjeshta, dhe se këtë e dimë të gjithë.

“Ato takime nuk janë të thjeshta dhe ne e dimë këtë. Progresi deri më sot ka qenë i kufizuar. Kjo është arsyeja pse takime të tilla janë të rëndësishme dhe shpresoj se do të ketë progres të duhur në të ardhmen. Kjo do të ishte mirë për qytetarët dhe të gjithë rajonin. Të gjithë duhet të kenë interes në mbajtjen e bisedimeve të tilla”, tha Kurz.

Kancelari austriak tha tutje se e vetmja rrugë e zgjidhjes mund të jetë në të cilën të dy palët do t’i afron njëra-tjetrës. Gjithashtu ka theksuar se për këtë ka biseduar me Lajçak.

“Një zgjidhje tjetër nuk është e mundur. Për këtë kam biseduar me Miroslav Lajçak, i cili është një diplomat me përvojë, ish-Ministër i Punëve të Jashtme. Unë i thashë atij se jemi në dispozicion nëse mund të sigurojmë mbështetje. Rajoni është shumë i rëndësishëm për ne”, tha Kurz në një intervistë për Tanjug.

Ndërsa sa i përket premtimeve nga Brukseli për Ballkanin Perëndimor, Kurza tha se duhet të përmbushen, sepse përndryshe BE humb besueshmërinë dhe kjo do të ishte keq”, tha ai.