Kusari-Lila për rritjen e çmimeve: E padrejtë të akuzohet Qeveria

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është e pashmangshme që kriza aktuale në botë të mos ketë efektin e saj edhe në Kosovë, por ka shtuar se për këtë nuk duhet t’i drejtohet gishti qeverisë aktuale.

Kusari-Lila ka përmendur një varg masash, që sipas saj i ka marrë Qeveria Kurti për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, të martën gjatë seancës së jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për rritjen e çmimeve.

“Debati po synon të imponojë mendimin që qeveria nuk po reagon ndaj ngjarjeve në vend. Shembull është aksioni i djeshëm i inspektoratit policor. Fakti që konfirmohet se askush nuk është i paprekshëm as Policia e Kosovës, tregon për nivelin aktual ndaj rendit dhe ligjit për të cilën është e angazhuar kjo Qeveri. Ju sot natyrisht se e bëni këtë debat për përfitim politik. Nga fillimi i pandemisë pakot e rimëkëmbjes u janë ndarë qytetarëve në nevojë. Në qershor të vitit 2021 ishte 420 milionë euro. Në fund të shkurtit qeveria ka ndarë mjete shtesë për programin e rezervave shtetërore. Qeveria ka ndalë edhe për 5 masa të ringjalljes ekonomike për t’i mbështetur ata që kanë humbur në punë atë”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, Qeveria ka bërë dyfishimin e shumës së asistencës sociale si dhe vazhdimin e mbështetjes shtesë për 26 mijë familje edhe për vitin 2022.