Kush duhet të kujdeset për shenjat e komunikacionit në rrugët e Kosovës?

0
2987

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka dy departamente që merren me mbikëqyrjen e rrugëve. Nga përshkrimi i përgjegjësive në faqen e MIT nuk shihet qartë se cili prej këtyre departamenteve ka përgjegjësinë për shenjat e komunikacionit në rrugët e Kosovës, shkruan fokusi.info.

Por, një gjë është e qartë: shenjat e komunikacionit mungojnë në masë të madhe, nuk sanohen kur ato dëmtohen, nuk janë në përputhje me nevojat gjë që rrugët tona i bëjnë edhe më të rrezikshme.

Një tjetër mungesë e madhe është e shenjave që janë tregues të rrugëve.

Kësaj radhe do të theksojmë disa tregues të rrugëve në një prej rreth-rrotullimeve kryesore që lidhë kryeqendrën tonë me qytetet tjera. Ju sjellim tri pamje, të tri shenjave të njëpasnjëshme të cilat gjenden duke hyrë në rreth-rrotullimin në Lakërishtë, prej rrugës së Mitrovicës.

Dy treguesit e parë janë të vjetër rreth 10 vjet. Këta tregues kanë të meta të mëdha dhe është e çuditshme se si i kanë mbijetuar kohës me gjithë këto të meta. Sikurse shihet në ta shënohet vetëm një qytet prapa rrethit dhe njeriu mendon se ky është qyteti i vetëm, e nëse jo kështu atëherë ky është qyteti më i madh i këtij drejtimi. Nuk është e vërtetë njëra, as tjetra. Pastaj shihen drejtimet tjera në rreth të shënuara me shigjetë, por ato nuk “dërgojnë” gjëkundi. Pas këtyre dy treguesve, pak pa hyrë në rreth vije treguesi që shihet në pamjen e tretë, i cili po ashtu ka së paku dy mungesa: mungon emri i Prizreni dhe i Republikës së Shqipërisë.

Ligjshëm shtrohet pyetja: me çka merren dy departamentet e rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit?/fokusi.info/