Kushtetuesja: Kuvendi e shkeli Kushtetutën me shkarkimin e Bordit të RTK-së

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të martën se vendimi i Kuvendit të Kosovës më 8 korrik 2021 për ta shkarkuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës nuk është në përputhje me Kushtetutën, por vendimi nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.

“Bazuar në të lartcekurat dhe shtjellimet tjera në Aktgjykim, Gjykata konstaton që në shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së, përkatësisht shkarkimin kolektiv të bordit të transmetuesit publik për “paaftësi profesionale”, të konstatuar përmes shqyrtimit të Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020, Kuvendi ka vepruar pa bazë ligjore në kontekst të shkarkimit të Bordit në tërësinë e tij, si pasojë e refuzimit të raportit përkatës vjetor dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në. Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendimin e Kushtetueses.

Më 8 korrik 2021, Kuvendi i Kosovës shkarkoi Bordin e RTK-së të përbërë nga Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku. Shkarkimi u përcoll me kritika të ashpra nga opozita, e cila akuzoi pushtetin se po tenton ta kapë politikisht televizionin publik. Deputetë të opozitës e kishin çuar rastin në Kushtetuese.