Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës para pak minutave me 61 vota miratoi Ligjin për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e delegacionit shtetërorë të Kosovës në procesin e dialogut në raport me Serbinë.

Më 24 dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e ka miratuar këtë projektligj për dialogun me Serbinë, për të cilin Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

“Me anë të ligjit do të përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë”, pati thënë Haradinaj.

“Po ashtu, ligji rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes tjerash, ligji definon qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mbanë me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës”.