Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje për heroin, Afrim Bunjaku

Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvendin e Shqipërisë, ka në fokusin e saj diskutime për problematikat e qytetarëve dhe prandaj nuk pritet të miratohet ndonjë projektligj.

Në nisje të saj, u mbajt një minutë heshtje për policin e vrarë më 24 Shtator në veri të Kosovës, Afrim Bunjakun.

Afrim Bunjaku humbi jetën orët e para të asaj dite gjatë një konfrontimi mes forcave të policisë së Kosovës me bandat kriminale serbe.

Bunjaku është shpallur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani “Hero i Kosovës”.

Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.