Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut voton pro bashkimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Është votuar pro bashkimit të Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli.

Me anë të një postimi në Facebook, Doli e ka cilësuar këtë votim si një tregues bashkëpunimi e përforcimi të qeverisjes lokale.

“Sot në Kuvendin Komunal në veriun e Mitrovicës u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, shkroi ajo.