Ky është i ftuari i parë i Gjykatës Speciale për vitin 2020

Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Limani, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Limani përmes një postimi në ‘Facebook’. Ai nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar.

Ky është postimi i tij i plotë:

Pasi është bërë e zakonshme të bëhen publike njoftimet e tilla, edhe unë dua të njoftoj se kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar. Pra, kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës.

Pasi vijë nga një vend ku forcat serbe pothuajse deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se ajo, kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo gjykatë do të organizoj kryekëput gjykime kundër shqiptarëve.

Me këtë rast, dua të falenderoj të gjithë ata, të cilët nocionit drejtësi, i humbën çdo vlerë, e sollën në një gjendje të tillë, e cila do tu shërbente si alibi ” miqëve” të Kosovës për të formuar një gjykatë të tillë një etnike, në të cilën nuk do të gjykohet asnje serb, pavarësisht krimeve të bëra në vendin tonë.
Indiferenca shumëvjeqare e institucioneve tona karshi krimeve serbe, ka shërbyer si motiv i mjaftueshëm për formimin e kësaj gjykate diskriminuese kundërshqiptare.

Gjate 20 viteve, Serbia në vazhdimësi fabrikoi gënjeshtra, kurse organet tona nuk arritën të dokumentonin krimet e luftës. Heshtja institucionale (vendore dhe ndërkombëtare) ishte mënyra më e mirë për mbulimin e krimeve serbe. Prandaj jo rastësisht serbët nga kriminel u kthyen në viktima.

Bartësit e institucioneve tona, në vend që të formonin organe kompetente për të mbledhur fakte dhe dëshmi për krimet serbe, ata kryesisht u morën me pasurimin e tyre.

Maksima ”ra kau shpëtoi shkau” i përgjigjet më së miri sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve tona.

Klasa jonë politike temën e krimeve serbe e aktualizonte sa herë kur kjo i shërbente për interes personal apo grupor, por asnjëherë nuk e trajtuan me seriozitetin e domosdoshëm institucional, trajtim i cili do tu sillte drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre.

Historia më e re e Kosovës padyshim se do të shënojë në analet e saj një fenomen, me gjasë të paparë më parë, fenomenin sesi indiferenca e viktimës ndikon në shfajsimin gradual të kriminelit dhe me këtë suksesshëm bënë ndërrimin e pozicioneve mes viktimës dhe kriminelit.

Nuk do të ndjehesha mirë, nëse në fund të këtij njoftimi nuk do të falenderoja ata të cilët e kurorëzuan këtë gjykatë, deputetët e Republikës së Kosovës dhe sponzorizuesit e tyre. Emrat e tyre padyshim do të skaliten me shkronja të ”arta” në analet e historisë dhe drejtësisë së Kosovës.

Me respekt,
Agron Limani