Ky është i riu nga Istogu që vdiq në Bjeshkët e Junikut

Sot gjatë ditës u raportua se një person ka vdekur të shtunën në Gjeravicë (Bjeshkët e Junikut), konkretisht në vendin e quajtur ‘Gropa e Erenikut’. Ndërsa, gazeta Metro mëson se viktima është 16-vjeçari, Dilon Ramqaj nga Istogu.

Sipas burimeve të Gazeta Metro i mituri kishte qenë duke punuar me të afërmit e tij në atë zonë dhe thuhet se kishte pasur kontakt me rrymën, pasi e kishte ndezur gjeneratorin për shkak të mungesës së energjisë.

Vdekjen e 16-vjeçarit e kishte konfirmuar sot zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai tha se mbrëmë rreth orës 19:40 policia e stacionit policor në Junik pasi ishte njoftuar me rastin në fjalë së bashku me ekipin mjekësor kishin dalë në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, mjeku kujdestar e kishte konstatuar vdekjen e viktimës.

Për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

”Mbrëmë rreth orës 19:40 është njoftuar policia e stacionit policor në Junik se në bjeshkët e Junikut në vendin e quajtur ‘Gropa e Erenikut’ një person dyshohet se është pa shenja jete. Menjëherë kanë dalë njësitet policore së bashku me ekipin mjekësor të Qendrës së Mjekësisë Familjare, mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen. Më vonë kanë dalë njësitë kompetente hetimit rajonale dhe me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar për obduksion,” tha Fadil Gashi për Gazeta Metro. /gazetametro.net