Ky është i riu që po bën “kërdi” në Kosovë me grabitje të armatosura, Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij

Policia e Kosovës ka identifikuar një person, i cili dyshohet se ka kryer grabitje të armatosura këto ditë në Prishtinë.

Me këtë rast, Policia e Kosovës e rajonit të Prishtinës ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve për gjetjen e të dyshuarve.

“Riad Sopjani, 19 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet me bazë të jetë përfshirë në kryerjen e grabitjeve që po hetohen nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Njoftimi i plotë:

Referuar rasteve të fundit të grabitjeve, Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme dhe ka realizuar operacione të bastisjeve e të kërkimit për grupe dhe individ të veçantë të përfshinë në këto raste.

Së këndejmi veprimet e lartcekura policore kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit:

· Riad Sopjani, 19 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet

me bazë të jetë përfshirë në kryerjen e grabitjeve që po hetohen nga ana e policisë.

Ky i dyshuar aktualisht në arrati, është shpallë në kërkim nga ana e policisë andaj inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, apo çfarëdolloj informacioni tjetër që do ti kontribuonte kapjes së tij, t’ ia kalojnë ato policisë përmes linjës 192, apo në çfarëdo forme tjetër.