Valon Murati: Në çdo vendim ndaj Serbisë, Kosova nuk guxon t’i harrojë shqiptarët e Luginës

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar përmes një postimi në Facebook për vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, që ka të bëjë me pasaportat.

Reciprociteti në raport me Serbinë përveç për të fuqizuar shtetin e Kosovës duhet të realizohet mbi të gjitha për të ndihmuar shqiptarët në Kosovën Lindore e jo për të vështirësuar edhe më jetën e tyre atje”, ka thënë Murati në shkrimin e tij.

Ky është postimi i plotë i Valon Muratit:

Vendimet që i marrin institucionet e Kosovës në raport me shtetin serb duhet ta kenë parasysh gjithnjë edhe dimensionin e Kosovës Lindore, përkatësisht të shqiptarëve që jetojnë atje dhe të cilët mbijetesën e vetë e realizojnë përmes komunikimit vital me Kosovën.

Kështu vendimi për mosnjohje të pasaportave të Serbisë ka goditur rëndë mërgimtarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medveja, të cilët me shumicë udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe të cilët veç kanë pasur probleme këto ditë.

Reciprociteti në raport me Serbinë përveç për të fuqizuar shtetin e Kosovës duhet të realizohet mbi të gjitha për të ndihmuar shqiptarët në Kosovën Lindore e jo për të vështirësuar edhe më jetën e tyre atje.