Ky është prokurori që do të merret me rastin e Astrit Deharit

Ushtruesi i Detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, do jetë i ngarkuar me hetimet e reja që do të zhvillohen tash e tutje nga specialja për rastin e vdekjes së anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

E lajmi se ai do të jetë i ngarkuar me këtë lëndë, erdhi nga vet Prokuroria e Shtetit,. Kjo e fundit përmes një komunikate për media tha se bartës i lëndës do të jetë u.d kryeprokurori i Speciales.

“Me anë të këtij vendimi, bartës i kësaj lënde do të jetë u.d. kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe do të mbështetet nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shefkiu deri më tani njihet si prokurori i cili akuzoi ish-komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së në rastin e fryrjes së listave të veteranëve.

E kalimi i lëndës së Deharit nga Prizreni për në Prishtinë erdhi pas kërkesës së familjes së të ndjerit Astrit Dehari. Ata pas marrjes së ekspertizës nga Lozana kanë deklaruar se duan që lëndën ta kthejnë në qendër ngase Prokuroria e Prizrenit në vitin 2016 kishte dal me konstatime që Astrit Dehari është vrarë.

Më 24 tetor, Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.