Lajçak diskuton me Vuçiq për rrugën përpara të dialogut, pajtohen që implementimi duhet të ecë tutje

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë qëndrimit në New York.

Përmbajtja e bisedës ka qenë për dialogun Kosovë – Serbi, kështu Lajçak ka thënë se me Vuçiqin kanë rënë dakord për nevojën për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit dhe rëndësinë e uljes së tensioneve.

”Diskutim i rëndësishëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në rrugën përpara në Dialogun në margjinat e #UNGA. Ranë dakord për nevojën për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit dhe rëndësinë e uljes së tensioneve”, ka shkruar ai në Twitter.

Lajçak është akuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që për takimin e 14 shkurtit është koordinuar me presidentin serb Vuçiq.

Pas këtyre akuzave, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka reaguar duke thënë se “SHBA-ja është në linjë me Lajçakun”.

Ndërkaq, Kurti për Lajçakun është ankuar duke dërguar letra në Uashington, Berlin, Paris e Romë.