Lajçak mirëpret vendimin e Kosovës: Propozimin për shtyrjen e zbatimit të masës së reciprocitetit e bëri Borrell

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për reciprocitet me Serbinë.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak ka thënë se mirëpret vendimin për shtyrjen e zbatimit të masës së reciprocitetit për një muaj.

Sipas tij, ky propozim ishte bërë nga shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ndërsa e ka falënderuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për mbështetje.

“E mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Josep Borrel për ta shtyrë për një muaj zbatimin e vendimit. BE pret që të gjitha barrikadat të hiqen menjëherë”, shkroi ai në Twitter.

Ai po ashtu ka thënë se Borrell fton Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për të vazhduar përpara.