Lajçak: Presim që dialogu të fillojë shpejtë, bashkëpunojmë ngushtë me SHBA-të

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka folur për media pas takimit të tij me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Lajçak ka thënë se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë si Përfaqësues i Lartë i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin.

“Qëllimi është i qartë, ne kemi qasje serioze kur vjen puna tek regjioni i Ballkanit dhe Kosova në veçanti dhe ne dëshirojmë të ndihmojmë në një marrëveshje përfundimtare në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu është e rëndësishme që ky proces i filluar në vitin 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian të përfundojë me një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet midis dy vendeve”, tha Lajçak.

Më tutje, duke folur për takimin e tij me presidentin Thaçi, Lajçak tha se takimi ishte shumë i nevojshëm, konstruktiv dhe frytdhënës.

Ai shprehet se do të vazhdojë komunikimin edhe me Thaçin por edhe me liderët e tjerë politikë në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë komunikimin edhe me liderët e tjerë, me kryeministrin, kryetaren e Kuvendit, krerët e partive politike dhe pas kësaj do të vazhdojë vizitën time në Beograd për të folur edhe me liderët atje lidhur me dialogun dhe ne presim që dialogu të fillojë shpejt”, tha Lajçak.

I pyetur për përfshirjen aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi dhe rolin që do të ketë SHBA sidomos pas takimit të ftuar në Uashington më 27 qershor, Lajçak tha se ekziston bashkëpunim i ngushtë midis BE-së dhe SHBA-ve.

“Ne gjithmonë kemi ngushtë me SHBA-të dhe gjithçka që është arritur deri më tani është arritur vetëm në saje të këtij bashkëpunimi. Ky bashkëpunim do të vazhdojë.