Lajçak thotë se u bisedua për dinarin dhe Banjskën në takim me Kurtin

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha të martën se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit në pagesat me para të gatshme në vend.

Në një konferencë për media pas takimit në Prishtinë të martën në mbrëmje, Lajçak tha se u diskutua edhe për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Sulmi në Banjskë, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, u diskutua edhe gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë në Beograd, theksoi ai.

“Sulmi në Banjskë diskutohet çdo herë në çdo takim që kur ka ndodhur”, tha Lajçak.