Lajm i mirë për shqiptarët në Greqi, miratohet më në fund pr/ligji për njohjen e patentave

0
302

Një lajm i mirë vjen për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Më në fund pas dy vjetësh Komisioni për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin helen ka miratuar sot projektligjin për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Tanimë pritet që projektligji të marrë dritën e gjelbër në seancën parlamentare.

Parlamenti grek në njoftim zyrtar bën me dije se “deputetët e Komisionit votuan me shumicë votash ratifikimin e marrëveshjes mes dy vendeve që u paraqit në Komision nga Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Joanis Qefalojanis”.

Kujtojmë që marrëveshja është nënshkruar mes ministrit shqiptar dhe atij grek në maj të 2018-s, por duhej të miratohej nga Parlamenti që të hynte në fuqi.

Sipas marrëveshjes “qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e testeve teorike dhe praktike për marrjen e lejes greke të drejtimit”.

“Qytetarët shqiptarë do të dorëzojnë lejen e drejtimit, marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke pasur mundësinë, të qarkullojnë si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë”, thuhet ndër të tjera në marrëveshje.

Ndërsa do të vendosin të qëndrojnë në Greqi, shqiptarët mund të konvertojnë lejen shqiptare të drejtimit në atë greke duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit në shtetin grek./shekulli