Latifi për strehimin e afganëve: Kosova do duhej pa mëdyshje të ndiqte shembullin e Shqipërisë

Profesori dhe analisti politik, Blerim Latifi, është shprehur pro strehimit të afganëve në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Latifi vlerëson vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për pranimin e kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për strehimin e afganëve që po ikin nga terrori i talebanëve.

Sipas tij, me këtë, Shqipëria po e dëshmon edhe një herë se qëndron e lidhur fort me aleancën kundër terrorizmit.

Latifi thekson se edhe Kosova duhet ta ndjek shembullin e Shqipërisë.

Postimi i plotë:

“Afganët, të cilët Edi Rama, me kërkesë të amerikanëve, ka vendosur t’i strehojë në Shqipëri, janë armiq të talebanëve. Ata janë pjesa më e emancipuar e popullit afgan, që për 20 vjet me rradhë u përpoqën, bashkë me amerikanët, për ta rikthyer atdheun e tyre në botën e lirë dhe moderne.

Fatkeqësisht nuk ia dolën dhe tani janë të detyruar të bëjnë jetën e apatridëve, njerëzve atdhehumbur.

Duke u dhënë strehim atyre, Shqipëria po e dëshmon edhe njëherë se qëndron e lidhur fort me aleancën kundër terrorizmit dhe ideologjive që e ushqejnë atë. Në këtë rast Kosova do duhej pamëdyshje të ndiqte shembullin e Shqipërisë.

Një nga amanetet e lashta të të parëve tanë ka qenë: Me marrë n’besë të pambrojturin që të troket në derë. Një amanet ky që e definon vetë kodin e humanizmit”.