LB jep rekomandime se si të luftohet korrupsioni (Video)

0
263
Lëvizja për Bashkim ka vlerësuar se nuk mund të ketë luftë të suksesshme ndaj korrupsionit pa sundim të plotë të ligjit dhe pa një sistem prokurorial dhe gjyqësor të pavarur e të guximshëm.
Agim Kuleta, anëtar i kryesisë së LB-së përmes një video-incizimi ka paraqitur qëndrimet e Lëvizjes për Bashkim për mënyrën e luftimit të korrupsionit.
Sipas tij: “Luftim të suksesshëm të korrupsionit nuk mund të ketë përderisa ajo mbetet vetëm luftë me fjalë e për nevoja partiake. Korrupsioni duhet të luftohet konkretisht edhe duke i deponuar me guxim rastet korruptive në prokurori. Lëvizja për Bashkim ka filluar një punë të tillë dhe nuk do të ndalet. Rasti i parë i proceduar i mbështetur nga LB ka të bëjë me zyrtarë të lartë të Universitetit të Prishtinës”.
“Nuk mund të ketë luftë të suksesshme ndaj korrupsionit pa sundim të plotë të ligjit dhe pa një sistem prokurorial dhe gjyqësor të pavarur e të guximshëm. Politika, respektivisht ai që i fiton zgjedhjet dhe e formon qeverinë, nëse ia do të mirën vendit të vet, duhet të përpiqet për sundimin e plotë të ligjit dhe duhet të sigurojë kushte për një gjyqësor të pavarur e efektiv”, deklaroi Kuleta.
Sipas Kuletës, respektimi dhe zbatimi i ligjit është i pa alternativë! Mund të ketë ligje të mira apo të këqija, por megjithatë ato duhet të zbatohen për sa kohë janë në fuqi. Përndryshe shumë lehtë do të mund të rrëshqasim në anarki. Politikani që ia do të mirën qytetarit dhe vendit të tij, përpiqet për zbatimin e të gjitha ligjeve pa përjashtim dhe ndërkohë punon për ndryshimin apo përmirësimin e tyre.
LB thotë se janë të gatshëm të ndihmojnë në ngritjen e padive ndaj të dyshuarve për shkelje të ligjit.
“Ftojmë të gjitha bizneset vendore dhe nga diaspora t’i raportojnë tek Lëvizja për Bashkim rastet e korrupsionit, të favorizimeve joligjore e të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të zyrtarëve politikë dhe publik. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në ngritjen e padive ndaj të dyshuarve për shkelje të ligjit. Nuk ka zhvillim ekonomik, investime nga diaspora dhe të huaja pa luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit. LB-ja do të jetë një krah i fortë i bizneseve të ndershme në këtë betejë”, shprehet Kuleta.
Më poshtë gjeni mesazhin e Agim Kuletës: