LDK i kundërpërgjigjet Glauk Konjufcës për SHIK-un

Ani pse u shua menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Shërbimi Inteligjent i Kosovës (SHIK) është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Janë dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje e Dardan Molliqaj nga PSD që pas 10 vitesh kanë rihapur edhe njëherë temën e këtij shërbimi, shkruan Gazeta Blic.

E gjithë ajo që i parapriu hapjes së kësaj teme, ishte një debati i brendshëm në Lëvizjen Vetëvendosje i nisur në shtator të 2016, e që zgjati më shumë se një vit, mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt kur ky i fundit vendosi që së bashku me 13 deputetë e qindra simpatizantë të largohen nga Vetëvendosje.

Akuza e kundër akuza e përcollën gjithë këtë proces. Por, akuza më e rëndë në mes dikur dy shokëve në VV, u rikthye në hakmarrje. Dardan Molliqaj akuzoi Glauk Konjufcën se gjatë vitit 2000 kishte qenë në SHIK për më shumë se një vit nga ku edhe ishte larguar për shkak të pagës së vogël që merrte aty.

Një gjë të tillë, deputeti i VV-së, Glauk Konjufca e ka mohuar duke thënë se për këto akuza Molliqaj edhe do të përgjigjet para Gjykatës.

Madje për këtë, thotë Konjufca, ka kërkuar edhe një komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës. Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së para dy ditësh tha se edhe pse duhen 40 nënshkrime për formimin e këtij komisioni, një gjë e tillë nuk po mundësohet. Tha se nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke hezituar që t’i vendosin nënshkrimet për formimin e një komisioni hetimor të SHIK-ut.

Gazeta Blic ka tentuar të marrë një përgjigje për këtë nga Shefi i grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti por qasja ndaj tij ka qenë e pamundur. Mirëpo, për këtë juanë deklaruar deputetë të kësaj partie.

E, lidhur me këto deklarata, deputetja e LDK-së Besa Gaxherri edhe iu është kundërpërgjigjur deklaratave të deputetit të VV-së, Glauk Konjufca. Tha se si LDK nuk kanë hezituar asnjëherë që t’i japin nënshkrimet duke ditur që gjithë të dyshuarit gjenden në partitë tjera.

“Këta e kanë kërku moti dhe LDK jo që ka hezitu por nuk ka dashtë sepse ne e kemi ditë që asnjë subjekt politik përveç LDK-së nuk është serioz. Sepse dyshimet janë pikërisht në këto subjekte politik edhe tek eksponentët e tyre. Nuk është LDK-ja me e dërgu veten në atë nivel që me ju leju atyre të cilët dyshohen me bo hetim në këtë drejtim aq ma shumë kur në ditët e fundit që po dalin gjëra që ndoshta ka qenë e vështirë me i imagjinu dikush e të cilat dikush prej nesh edhe i ka pritë“, tha Gaxherri për Gazetën Blic.

Përveç kësaj, ka akuzuar edhe sistemin e drejtësisë, i cili siç shprehet ajo, nuk po ka guxim që të merret me këtë çështje.“Duhet vërtetë me pas organet e drejtësisë guximin që të merren me këtë çështje. Fatkeqësisht edhe rendi i drejtësisë është i kapur pikërisht nga eksponent të caktuar. Andaj LDK-ja nuk është se e ka harru. Nuk e harrojmë kurrë sepse krimi nuk vjetërsohet. Neve ta gjejmë kohën që drejtësia të pavarësohet dhe normal që do ta shtyjmë në aspektin politik. Ne nuk mund që të kërkojmë e të ndikojmë në drejtësi që t’i zbardhim këto gjëra”, përfundoi ajo.

E për këtë ka folur edhe deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj. Ai Gazetës Blic i tha se për formimin e një komisioni e ka vënë nënshkrimin dhe se atë nënshkrim do ta tërheqë.“Unë për vete e kam vënë nënshkrimin. Sa herë ti teket dikujt nuk mund me jap nënshkrimin sepse ai njëherë jepet nuk tërhiqet”, tha shkurt ai.

Ndryshe, ishte 2 shkurti i këtij viti kur në Seancën e Kuvendit, Dardan Molliqaj publikisht kishte akuzuar Glauk Konjufcën se ka qenë pjesë e “ShIK-ut të Kadri Veselit”.“Glauku prin s’di sa e dini po Glauku u kanë në PDK në AAK tash është në VV, unë e ftojë Glauk Konjufcën qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK. Këtë e kam marr vesh. Mirë është me kallxu ti edhe tjerët një ka një që jeni kanë në ShIK e po du me ta pa moralin edhe etikën”, pati thënë Molliqaj.

Ndërsa për këtë deklaratë Konjufca i është përgjigjur Molliqaj duke i thënë se “i pranoj pretendimet e Dardanit nëse ka fakte për këtë shpifje”.

Pas shumë deklaratave mes tyre për këtë çështje, Molliqaj ka folur në Kuvend javën e kaluar ku edhe paraqiti, siç është shprehur ai, dokumentet se Konjufca ishte pjesë e SHIK-ut.

“Viti në të cilin Glauk Konjufca ka shërbyer në SHIK është viti 2000 -2001. Paga 150 marka, rekreutimin e ka bërë Fadil Lepaja”, tha Molliqaj.