LDK-ja e dënon agresionin e Serbisë, kërkon nga Kurti të raportojë në Kuvend për kidnapimin e policëve

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka dënuar agresionin e Serbisë me rastin e kidnapimit të policëve në territorin e Kosovës.

“Në emër të LDK-së e dënojmë fuqishëm agresionin e Serbisë duke kidnapuar policët. Është një veprim i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të përsëritet. Në emër të LDK-së kërkoj që të bëhet në një kohë sa më të shkurtër të bëhet kthimi”, ka theksuar Gashi.

Njësoj si partitë e tjera opozitare, edhe Gashi ka kërkuar raportimin e kryeministrit, Albin Kurti, për situatën në veri, rrëmbimin e policëve, raportet me ShBA-në dhe përfaqësuesit e BE-së.

“Kërkoj që kryeministri të vijë sa më shpejtë në një seancë dhe të raportojë për situatën në veri, për gjendjen e policëve, aq sa ka informacion, dhe për hapat dhe veprimet e ndërmarra. Kryeministri duhet t’i raportojë Kuvendit se cilat janë raportet me partnerët tanë. Jemi në një situatë delikate, ku neve na duhet informim për situatën në veri, për agresionin e Serbisë, na duhet informim lidhur me raportet e Qeverisë me partnerët ndërkombëtarë, na duhet seriozitet në qasje. Na duhet që kryeministri të mos tallet këtu duke thënë a me koordinim a pa koordinim. Pasi vjen një situatë si kjo, ku duhet koordinim, andaj na duhet një seriozitet dhe maturi”, ka theksuar GashNdryshe, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Të nesërmen, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe në veri të vendit.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.