LDK-ja, e gatshme ta sakrifikojë edhe një ministri për presidentin

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme se do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje, LVV-ja dhe LDK-ja nuk po arrijnë t’i kapërcejnë ndasitë rreth postit të presidentit. Për shkak të zvarritjes së formimit të institucioneve një delegacion gjerman pritet të qëndrojë sot në Kosovë, i cili do të takohet me kryetarët e të dyja partive negociuese, shkruan sot gazeta Zëri.

Janë bërë tri javë nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, por LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk janë dakorduar për arritjen e marrëveshjes finale. Pengesë e pakapërcyeshme deri tash në këtë drejtim është bërë posti i presidentit. Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për formim sa më të shpejtë të qeverisë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është zmbrapsur nga kërkesa për sigurimin e fronit të shefit të shtetit. Gjatë ditës së djeshme ky subjekt ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, anëtarët e të cilit janë dakorduar që LDK-ja të mos lëshojë pe sa i takon pozitës së presidentit. Teksa ka folur pas kësaj mbledhjeje lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ky subjekt është i gatshëm t’ia japë edhe një ministri shtesë LVV-së në momentin që president i ardhshëm zgjidhet dikush nga partia që ai drejton. Por nga LVV-ja kanë përsëritur se pozita e kryetarit të Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e marrëveshjes qeverisëse. LVV-ja dhe LDK-ja takimin e fundit e kanë mbajtur të shtunën, ndërkohë ende nuk dihet se kur do të vazhdojë takimi i radhës. Si rrjedhojë e kësaj zvarritjeje gjatë ditës së sotme në Kosovë pritet të qëndrojë një delegacion gjerman, i udhëhequr nga Peter Bayer, njëri ndër personat më të afërm të kancelares gjermane Angela Merkel, i cili do të takohet me liderët e dy partive negociuese.

LDK: Të gjitha pozitat duhet të jenë pjesë e marrëveshjes me LVV-në

Lideri i LDK-së Isa Mustafa bëri të ditur dje se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie është thënë se në marrëveshjen me LVV-në duhet të përfshihen të gjitha pozitat, duke përfshirë këtu edhe atë të presidentit. “Parimi që u tha në Këshill është që pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohet ky koalicion gjatë këtyre katër vjetëve. Trajtimi i këtyre pozitave duhet të jetë në harmoni me interesin tonë, që të kemi një koalicion i cili zgjat katër vjet e assesi një koalicion, i cili sfidohet në momente të caktuara, qoftë nga zgjedhja e presidentit ose nga momentet e tjera”, ka deklaruar Mustafa pas mbledhjes së djeshme që zgjati tri orë.

Teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, Mustafa ka zbuluar detaje nga takimi i fundit që ka pasur me kryetarin e LVV-së Albin Kurtin gjatë së shtunës. Me këtë rast, ai ka bërë të ditur se ia ka propozuar LVV-së t’ia japë edhe një ministri shtesë në momentin që zgjidhet presidenti nga ana e LDK-së, vetëm që kjo pozitë t’i sigurohet partisë që ai drejton. “Ne kemi dhënë një propozim në takimin e të shtunës së kaluar, nuk kemi parë një gatishmëri të LVV-së që ta bëjnë këtë. Unë i kam bërë ofertë LVV-së, në momentin që do të zgjidhet presidenti nga LDK-ja atëherë ne do t’ia japim LVV-së një nga ministritë tona, pastaj ne do të vazhdojmë me 4 ata me 6, por s’kanë dhënë përgjigje”, ka theksuar ai.

Pavarësisht faktit se po insiston në sigurimin e postit të presidentit, LDK-ja nuk po pranon të japë emrin e personit që mëton të vijë në krye të këtij posti. “Do ta japim emrin për president në momentin kur fillon zgjedhja e tij. Ne duhet ta kemi vetëm mirëbesimin dhe zotimin mes dy partnerëve”, ka shtuar Mustafa.

LVV: S’ka takim, pasi s’ka sinjal që LDK-ja ka lëvizur

Ndonëse janë bërë pesë ditë pa pasur asnjë takim mes LVV-së dhe LDK-së, ende nuk dihet se kur do të ndodhë ballafaqimi i radhës mes këtyre dy subjekteve. Kreu i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja do t’i përgjigjet ftesës së LVV-së për takimin e ardhshëm, posa të ndodhë një gjë e tillë. “Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së LVV-së për takimet e ardhshme. Vlerësojmë se nëse do të ketë vullnet politik, mirëbesim dhe respekt reciprok çështja e marrëveshjes mund të arrihet”, është shprehur ai.

Kurse Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka thënë se nuk mund të thirren takimet e radhës derisa zhvillohen takime të instancave më të larta të partive, siç ishte mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. “Unë besoj se duhet të ketë takime, mirëpo nuk mund të ketë takime përderisa thirren organet më të larta të subjektit”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është thirrur takimi i radhës pasi LDK-ja nuk ka dhënë shenja se ka lëvizur nga kërkesa e saj rreth presidentit. “Ky është problemi i vetëm dhe duke pasur parasysh që në dy takimet e fundit LDK-ja nuk ka lëvizur nga kërkesa e tyre ne nuk e kemi parë shumë të arsyeshme, që nëse nuk shohim ndonjë sinjal nga LDK-ja të thërrasim sërish takim”, ka deklaruar Haxhiu për gazetën.

Sidoqoftë, Albin Kurti është shprehur optimist se koalicioni i ardhshëm qeverisës LVV – LDK do të ndodhë. “Unë besoj, shpresoj, uroj që ashtu qysh ka vendosur populli më 6 tetor të kemi një qeveri të re nga opozita e deridjeshme, në mënyrë që ta çkapim shtetin nga këta mujsharët shpërdorues, të cilët janë shkaku kryesor i korrupsionit të lartë në Kosovën e pavarur”, ka potencuar ai.

Zvarritja e koalicionit, delegacioni gjerman sot në Kosovë

Janë bërë më shumë se dy muaj prejse kanë përfunduar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por LVV-ja dhe LDK-ja akoma nuk janë dakorduar në plotësi rreth marrëveshjes finale. Si rrjedhojë e kësaj zvarritjeje ka pasur presion të vazhdueshëm ndërkombëtar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve. Në kuadër të kësaj një delegacion gjerman, i kryesuar nga njëri ndër personat më të afërm të kancelares gjermane Angela Merkel, Peter Bayer, do të qëndrojë sot në Kosovë, ku do të takohet me dy liderët e partive negociuese, Albin Kurtin e Isa Mustafën.

Se do të ndodhë një gjë e tillë e ka konfirmuar mbrëmë edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa. “Nesër po, do ta takojmë Peter Bayerin, i cili do të jetë këtu në orët e hershme të ditës”, ka potencuar Mustafa.

Seanca konstituive, të enjten e javës tjetër

Ndonëse LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë rënë në ujdi për marrëveshjen përfundimtare, Kryesia e Kuvendit të Kosovës është dakorduar dje që seanca konstitutive të mbahet në ditën kur është thirrur nga presidenti Hashim Thaçi. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka njoftuar pas mbledhjes së Kryesisë se seanca do të mbahet të enjten e javës që vjen. “Më datën 26, në orën 15:00 do ta kemi seancën konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës. Besoj se shumë shpejt më datën 26 do ta kemi një legjislaturë të re, përkatësisht një epokë të re të politikës në Kosovë me pozitë dhe me opozitë”, ka deklaruar ai.

Veseli me këtë rast ka përsëritur edhe një herë se Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në opozitë. “PDK-ja do të jetë opozitë, shpresojmë që shumë shpejt do ta kemi konstituimin edhe të organeve të tjera, që kanë shumë rëndësi”, ka shtuar Veseli. /