LDK-ja më 1 qershor nis zgjedhjet e brendshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kjo parti më 1 qershor do të hyjë në zgjedhje të brendshme partiake.

Abdixhiku tha se të premten do të mblidhet këshilli i përgjithshëm për t’u përgatitur për këto zgjedhje, derisa theksoi se ky proces zgjedhor do të zhvillohet mbi 7 parime.

“Sot kryesia e LDK ka marrë vendim të shpall zgjedhje të brendshme. Për ne ky proces është festë sepse gjithmonë LDK ka besuar në demokraci”, ka thënë Abdixhiku në konferencën e sotme për media.

Abdixhiku tha se e fton çdo anëtar të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Kreu i LDK-së theksoi se synojnë që të kenë prezencë më të madhe të të rinjve në këtë proces zgjedhor dhe po ashtu tha se synojnë që njëra nga pozitat e nënkryetarit të jetë për një grua.

“S’ka mospajtime në mes partisë. Partia është më e bashkuar se kurrë. Të gjithë janë të interesuar të kemi një proces të hapur dhe të përfshirje të të rinjve dhe grave, si dhe një nga pozitat e nënkryetarit të jetë grua”, ka shtuar ai.

Ai po ashtu shtoi se kanë marrë vendim të hapin katër degë në komunat veriore të Kosovës, si dhe të kenë organizim territorial të degëve në mërgatë.