LDK-ja shtyn për nesër takimin rreth ministrave

Mbledhja e Kryesisë së LDK-së e cila ishte planifikuar të mbahet sot është shtyrë për nesër (e hënë), në këtë takim do të caktohen ministrat nga ky subjekt që do të jenë pjesë e qeverisë së re, e cila për kryeministër do ta ketë Avdullah Hotin.

Anëtari i Kryesisë dhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë për “klankosova.tv” se mbledhja  është shtyrë për shkak se disa pjesëmarrës nuk kanë pasur mundësi të jenë sot të pranishëm.

“Takimi i Kryesisë së LDK-së mbahet pasi Gjykata Kushtetuese të publikojë dhe të ju dërgojë palëve aktvendimin e plotë”.

“Njëkohësisht, disa nga anëtarët e Kryesisë e kanë të pamundur pjesëmarrjen në takim këtë të diele, prandaj takimi i Kryesisë mbahet, tentativisht, nesër”, ka thënë Mustafa.

“Klan Kosova” ka mësuar dje se në këtë mbledhje të kryesisë së LDK-së pritet të vendoset se kush do të jenë emrat e përfaqësuesve në ministritë përkatëse.

Ndërsa nominimet fillestare, për të cilët “Klan Kosova” pati raportuar janë: Vlora Dumoshi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agim Veliu me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Lumir Abdixhiku me Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Arban Abrashi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Armend Zemaj me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa Hykmete Bajrami do të zë postin e zëvendëskryeministres.

Kurse Besian Mustafa do të lë postin e ministrit të Bujqësisë dhe do të merr atë të udhëheqësit të Dikasterit të Integrimeve Evropiane në kuadër të MPJ-së.