LDK merr pjesë në votimin e Vjosa Osmanit për presidente

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që mos ta bllokojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit si president.

Këtë e bëri të ditur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media pas takimit që pati me deputetët e tij.

Ai tha se bllokimi dhe obstruksioni nuk i kryejnë punë LDK-së, dhe se vendimi është marrë me një shumicë absolute, shkruan lajmi.net.

“Me vullnet e dije të plotë nga organet e partisë, dhe ndaj të gjithë atyre që na kanë zgjedhur jam përfshirë në procesin e zgjidhjes së presidentit. Kam dëgjuar zëra që të gjithë politikën e shohin si llogaritje hesapesh se kush dëmtohet më shumë e kush më pak. Ikja nga përgjegjësia është zgjidhja më e lehtë për secilin politikan”, ka thënë ai.

“Në politikë s’jemi për të marrë vendime të lehta. Në politikë jemi për të dhënë zgjidhje, dhe kjo është kulturë tradicionale. Me forcën politike që kemi, kemi pasur dy mundësi. Një të mos marrim pjesë në seancë, ose të jemi pjesë e zhvillimeve duke respektuar frymën e qytetarëve. Kemi zgjedhur të dytën. Këtë rrugë kam zgjedhur unë dhe kolegët e mij që ta zgjedhim”, ka thënë tutje Abdixhiku.

Ai ka kërkuar edhe nga deputetët që kanë hatërmbetje që ta respektojnë vendimin e shumicës dhe Kryesisë.

Në këtë kontekst, ai tha se LDK do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe do ta jap votën aty.