LDK: Na duhet kohë për marrëveshjen finale

Ndonëse qysh në fillim të javës zyrtarë të LVV-së janë shprehur të bindur se brenda 10-14 ditësh do të përfundojnë bisedimet për formimin e Qeverisë, nga LDK-ja kanë thënë se rreth kësaj çështjeje nuk mund të flitet për ditë, pasi nevojitet kohë për një marrëveshje finale, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pavarësisht faktit që tashmë janë numëruar të gjitha votat, duke përfshirë edhe ato të diasporës të ardhura me vonesë në KQZ, LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk i kanë harmonizuar në tërësi qëndrimet rreth programit qeverisës.

Deri më tash këto dy subjekte kanë zhvilluar dy takime në kuadër të nivelit të lartë politik dhe pesë sosh në kuadër të grupeve punuese. Ditët e fundit LVV-ja dhe LDK-ja kanë dhënë qëndrime të ndryshme sa i përket kohës eventuale për finalizim të marrëveshjes dhe formim të Qeverisë së re, shkruan tutje “Zëri”.

Derisa nga Vetëvendosja kanë deklaruar se brenda dy javësh mund të përfundojnë negociatat për Qeverinë e ardhshme, zyrtarë të LDK-së thonë se ende duhet kohë për arritjen e marrëveshjes finale. Kjo sipas tyre nuk është çështje ditësh, veçmas kur kihet parasysh fakti që ende nuk ka certifikim të rezultateve.