Lekaj paralajmëron protesta nëse anulohet Autostrada e Dukagjinit

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka paralajmëruar se do të organizohet protesta nëse Qeveria aktuale tenton ta ndalojë realizimin projektit për Autostradën e Dukagjinit.

Lekaj në një intervistë për EO ka sqaruar se ky projekt është aprovuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Mendoj që është diçka e padrejtë për Dukagjinin dhe për qytetarët e Dukagjinit ku numërojnë 624 mijë banorë dhe janë taksa paguesit më të mëdhenj të qeverisë së Kosovës dhe nëse merret një vendim i tillë mendoj që po e linçojnë atë regjion dhe ne do të bëjmë atë që duhet më bë dhe do t’i ftojmë qytetarët në protesta dhe do të përdorim të gjitha mekanizmat politik demokratik që mos me u anuluar kjo autostradë sepse edhe kjo autostradë është aprovuar me buxhet në Parlamentin e Kosovës dhe vetë deputetët e kanë aprovuar dhe tani të merret një vendim i padrejtë historia nuk do t’i falë”.

“Ne si Aleancë jemi të vendosur që të ndodhë autostrada e Dukagjinit jo pse ne vijmë nga Dukagjini por që duhet në tërë Kosovën të trajtohen barabartë dhe mos të linçohet një regjion. Ne i kemi parapri bisedat për këtë autostradë edhe me qytetarët edhe me kryetarët dhe 99.9% kanë qenë që duhet të ndodhë dhe dy kryetarët nga LDK-ja ata e kanë thënë një po të madhe dhe tani politikisht të sanksionohet ky regjion është i padrejtë”.

Plani i kryeministrit Albin Kurti për ta hequr tarifën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe dhe për ta zëvendësuar atë me aplikim reciprociteti të plotë me këtë shtet nuk po mbështetet nga ish-qeverisja.

Lekaj shtoi se kryeministri Albin Kurti me reciprocitet po bënë një mashtrim të radhës dhe sipas tij, reciprociteti asnjëherë s’ka për tu implementuar.

“Nuk besoj se reciprociteti do të jetë i suksesshëm sepse ne nuk kemi sqarim sa i përket reciprocitetit sepse edhe iniciativat për reciprocitet asnjëherë nuk kanë mundur të implementohen dhe në këtë mënyrë mendoj që Kurti bënë shumë gabim dhe bënë një mashtrim të radhës thuajse ne po e heqim taksën dhe po vejmë reciprocitet që asnjëherë s’ka për t`u implementuar”.