Lëndohet Bardhi, telashe për Maqedoninë e Veriut para ndeshjes me Kosovën

Njëri prej lojtarëve kryesorë të Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, është lënduar në ndeshjen e së dielës.

Këtë e ka bërë të ditur të hënën faqja zyrtare e skuadrës së La Ligas spanjolle, Levante. Bardhi luajti 90 minuta në barazimin 1:1 me Granadan, por të hënën është bërë e ditur se ai ka pësuar lëndim.

“Bardhi ka pësuar ndrydhje të lehtë të kyçit të këmbës së djathtë. Në ditët në vijim do të dihet më shumë për lëndimin e tij”, ka njoftuar Levante.

24-vjeçari luan në krah por edhe në mes të fushës. Te Maqedonia e Veriut është prej bartësve të lojës. Maqedonia e Veriut më 26 mars e pret Kosovën në Shkup, në gjysmëfinale të plejofit për “Euro 2020”.

Mediat në Shkup kanë shkruar se me lëndimin e Bardhit janë shtuar telashet për përzgjedhësin Igor Angelovski. Të tjerë lojtarë të Maqedonisë kanë telashe me lëndime.

“Telashet për Igor Angelovskin janë shtuar para ndeshjes me Kosovën, pas lëndimit të Enis Bardhit. Bardhi është pritur të jetë lider i Maqedonisë në ndeshjen ndaj Kosovës. Nëse lëndimi i tij del të jetë serioz, atëherë do të jetë goditje e madhe për Maqedoninë Veriore dhe shpresat e saj për fitore dhe kalim në finale të plejofit”, ka shkruar “ekipa.mk”.