Lëvizja FOL tregon sa milionë u rrit çmimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë

Lëvizja FOL përmes një konference për media ka bërë të ditur se kanë monitoruar procesin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Gjilan Dheu i Bardhë, për të cilin kanë deklaruar se që nga fillimi është përcjellë me shumë parregullsi.

“Nga monitorimi që FOL ka bërë, së fundmi kemi hasur në katër aneks kontrata që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me 4 operator ekonomikë që ishin fitues në tenderin për ndërtimin e mbi 22 kilometrave të kësaj autoudhe. Gjatë vitit 2019, e deri më tani kjo autoudhë e paplanifikuar financiarisht po i kushton buxhetit të shtetit mbi 93 milion euro, pa shtuar këtu edhe miliona të tjerë që kanë shkuar për shpronësime. Nga kontratat përmes procedurës me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë, kanë nënshkruar aneks kontrata këta operator: “GRANIT sh.p.k me 1, 843, 392.24 Euro, Companya Eskavatori Sh.p.k me 1,743, 107.70 euro, Gjoka Konstruksion me 438,190.20 euro, AL TRADE HOLDING L.L.C. me 372,660.42 euro”, u tha në konferencë.

Nga Lëvizja FOL tutje theksojnë se është shqetësuese që këto tri ankes kontrata janë nënshkruar pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj.

“Është me rëndësi të ceket fakti që Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur Plan të Menaxhimit të Kontratës, e i cili parashihet të jetë dokument në procesin e prokurimit, që përfshin në vete aspektet organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore të menaxhimit dhe përmes së cilit plan bëhet monitorimi i punimeve në terren. Andaj, në si Lëvizje FOL, kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, të sqarojë se mbi çfarë baze të vlerësimit ka nënshkruar këto aneks kontrata me operatorët ekonomikë të lartpërmendur kur mungon ky plani i menaxhimit. Punët dhe shërbimet shtesë, përmes këtyre aneks kontratave, i kanë kushtuar buxheti i shtetit plus 4, 397, 065.32 euro”, u bë e ditur.

Ata kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të ju tregojnë se në çfarë pike kanë arritur hetimet në ndërtimin e kësaj autostrade.

“Gjithashtu, FOL mirëpret pezullimin e tenderit 110 milionësh për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhe në një kohë kur vendi ende nuk ka buxhet të miratuar për këtë vit dhe nuk kemi zotim të mjeteve për vazhdimin e ndërtimit të kësaj autoudhe”, u tha në konferencë./Express/