Liburn Aliu të takohet me Ali Ahmeti, kështu kërkoi Albin Kurti

Liburn Aliu takohet me Ali Ahmeti, ky i fundit thotë se vizita u bë me kërkesë të Kurtit

Të mërkurën, në Maqedoni të Veriut ka qëndruar ministri Liburn Aliu. Ai dhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kanë konfirmuar se vizita është bërë me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.

“Vizita është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës me qëllimin më të mirë për vazhdimin e komunikimit. Ashtu siç ka qenë në të kaluarën, ky komunikim dhe ky bashkëpunim të vazhdojë me interes për të dyja vendet tona sepse çdo bashkëpunim dhe forcim i këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit si me Republikën e Kosovës si me Republikën e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, sigurisht që jemi investues të fortë në drejtim të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së sigurt të rajonit që jo hiq më shumë se 20 vite ka qenë i trazuar në konflikte e luftëra me pasoja të rënda”, ka deklaruar Ahmeti në konferencën e përbashkët për media me Aliun. “Dhe qasja që bëhet tanimë është në dobi të të gjitha vendeve tona, po për të qenë i suksesshëm ky angazhim dhe për të reflektuar drejtpërsëdrejti te popujt ashtu edhe te shtetet në kuadër të kësaj vizite, sigurisht që një vëmendje e veçantë iu bë edhe rrugës që është në projektim e sipër Tetovë-Prizren me leverdi të jashtëzakonshme ekonomike për të dyja vendet tona sepse rrugët lehtësojnë qarkullimin, qarkullimin mundëson ekonomi më të zhvilluar e përparuar dhe besoj se ekipet ndërqeveritare merren seriozisht dhe aktivisht me këtë çështje që projektimi të mbyllet sa më shpejt e fillimi të ndodhë në kohë sa më të afërt”.

Ndërsa ministri Aliu u shpreh se kjo rrugë do të lidhë edhe pjesën e parkut nacional të Sharrit në Kosovë me pjesën e Serbisë.

“Takimin sapo e zhvilluam me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunimin e të dyja vendeve dhe konkretisht për hapat e mëtejmë të realizimit të rrugës që lidh Tetovën dhe Prizrenin e që është rrugë që ka ndikim jashtëzakonisht të madh ekonomik për të dyja vendet. Dua të përkujtoj që kjo rrugë tashmë ka studimin e fizibilitetit që është realizuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Jemi në fazën e marrëveshjes financiare për ta realizuar projektin, dizajnin edhe tunelin e përbashkët dhe më pastaj të kalomë në fazën e realizimit të plotë të këtij projekti. Përpos që lidh Prizrenin me Tetovën e lidh edhe pjesën e parkut nacional të Sharrit në pjesën e Republikës së Kosovës me pjesën e parkut nacional në anën e Maqedonisë. Zonat kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mundësi të zhvillimit ekonomik përmes turizmit si veror edhe dimëror dhe kjo rrugë do të krijojë një mundësi të menaxhimit të përbashkët të parkut nacional dhe menaxhimit të zhvillimit të turizmit për të dyja vendet që do të mund të krijonte mundësi të reja për vende pune e zhvillim ekonomik”, ka thënë Aliu.

Ata nuk kanë pranuar të përgjigjen në interesimin e gazetarëve për pyetje.