Liderët e opozitës në Malin e Zi, bien dakord për qeverinë

Drejtuesit e koalicioneve opozitare në Malin e Zi, Zdravko Krivokapiç, Aleksa Beçiç dhe Dritan Abazoviç, të cilët së bashku kanë shumicën në parlamentin e ri, thanë se ata kanë rënë dakord për disa parime mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme, raporton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe

Parimi i parë që është rënë dakord është se “qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare”.

“Së dyti, se qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur,” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Të tre udhëheqësit thanë gjithashtu se qeveria e re, demokratike do të ishte e përbërë nga ekspertë në fusha të veçanta, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër. ”

“Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin mbi Lirinë e Fesë,” thotë deklarata e përbashkët.

Ata përsëritën thirrjen e tyre për partitë që përfaqësojnë pakicat, duke deklaruar se ata “shtrijnë duart e tyre për përfaqësuesit e popujve të pakicave me dëshirën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të bukur dhe të ndritur për Malin e Zi”.

Partia e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç (DPS) ka arritur të sigurojë 35% të votave në zgjedhjet e së dielës, duke arritur në fakt rezultatin më të keq në vend, që nga pavarësia prej Serbisë 14 vite më parë.

Rezultatet zyrtare tregojnë se aleanca opozitare pro-serbe ka marr 32.5%, çka do të thotë se ajo mund të arrijë të krijojë qeverinë nëse siguron konsensus me dy partitë e tjera opozitare. Kjo do të bënte që Partia Demokratike e Socialistëve të humbte pushtetin për herë të parë pas 30 vitesh./Fokusi.info/