Ligji i Pagave/ A mund të përsëritet skenari i vitit 2020?

Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, pati dërguar Projektligjin për pagat më Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë.

Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro.

Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, në dhjetor të po atij viti institucioni i Avokatit të Popullit e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Pak ditë më vonë Kushtetuesja vendosi që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik, në kohë zgjatje deri më 30 mars të po atij viti.

Ndërsa më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga ajo kohë e deri më dje nuk kishte ligj për Paga në vend.

Por, a mund të përsëritet skenari i njëjtë sikurse në vitin 2020, pasi opozita ka paralajmëruar që të njëjtin do ta dërgojnë në Kushtetuese.

Për, këtë për Front Online, ka folur Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, njëherit njohës i drejtësisë, Ehat Miftaraj.

Miftaraj, ka thënë se i njëjti mund të shpallet plotësisht kundërkushtetues, por edhe pjesërisht.

“Nëse shkon në Kushtetuese, Gjykata mundet që të njëjtin ta shpallë kundërkushtetues plotësisht varësisht nëse gjen shkelje ose kufizim të të drejtave të njeriut, ose vetëm pjesërisht për institucionet e pavarura të cilave iu cenohet siguria juridike dhe financiare”, ka deklaruar Miftaraj për Front Online.

Miftaraj, ka thënë se si Institut i Kosovës për Drejtësi kanë dërguar edhe komentet e tyre sa i përket ligjit të Pagave, por se komentet, sugjerimet dhe rekomandimet pothuajse janë injoruar krejtësisht.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik.

Ky ligj zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.

Për të hyrë në fuqi Ligji për pagat, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.