Ligji i Pagave, Hoti: Me urgjencë do t’i trajtojmë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese!

Pas takimit me përfaqësues të sindikatave, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se qeveria do t’i trajtojë me urgjencë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të djeshëm për hedhjen poshtë të vendimit për Ligjin e Pagave.

Ky është postimi i plotë:

Sot, në takime urgjente të organizuara me përfaqësues të sindikatave jemi dakorduar që qeveria menjëherë ta formojë grupin punues, për ta proceduar në Kuvend Ligjin e Pagave, duke marrë parasysh argumentet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe grupet tjera që mund të kenë pasur vërejtje për këtë ligj.

Unë do të vazhdoj të komunikoj me sindikalistët, do të jem afër me ta dhe do ta mbikëqyr nga afër punën e grupit punues që do ta përgatisë Ligjin e Pagave për ta dërguar sa më parë në Kuvend.