Ligji i Pagave mund të përfundojë në Kushtetuese nëse drafti aktual miratohet

Nëse Ligji i Pagave, bëhet i plotfuqishëm nga Kuvendi i Kosovës në këtë format, mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, pasi me koeficientin aktual, Gjyqtarëve dhe Prokurorëve u zbritet paga.

Megjithatë, sipas njohësve të kësaj fushe nuk është vetëm kjo çështja që ngjall reagimin e tyre.

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë për Ekonomia Online se aktvendimi i Kushtetueses përcakton qartë se ku duhet të ketë intervenim për Ligjin e Pagave.

“Po i referohet aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila në mënyrë të qartë ka përcaktuar nevojat në intervenimin që duhet ta bëjë Qeveria në rishikimin e ligjit për të qenë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Sipas vlerësimit tim, secila Qeveri duhet të fokusohej në vërejtjet që ka dhënë Kushtetuesja sepse ato janë të qarta, të bëjë dispozitat në pajtueshmëri me Kushtetutën siç ka rekomanduar kjo e fundit, dhe do duhej të ishte gjithçka në rregull. Çdo gjë që tejkalon përkufizimet që ka bërë Kushtetuesja, mendoj se mund të jetë gabim dhe prapë të subjekt i një shqyrtimi eventual”, u shpreh ai.

Njëjtë mendon edhe avokati, Yll Zekaj. Ai thotë se çdo prekje e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtim të zvogëlimit të tyre, është drejtpërdrejtë cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor.

Sipas tij, të njëjtën e ka dhënë edhe Komisioni i Venecias për shtetet që kanë punuar në hartimin e Ligjit të Pagave.