Ligji për Naftën peng që nga viti 2009: Naftëtarët presin të kalojë brenda 100 ditëshit të Qeverisë

0
70

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një intervistë ka siguruar se cilësia e naftës në vend është e mirë.

Poashtu Berjani shtoi se vendimi nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë për kthimin e kontrollit të cilësisë së naftës në Doganën e Kosovës është i qëlluar.

Sipas tij, ky vendim u kursen të holla bizneseve duke u mundësuar atyre të marrin derivatin me çmim më të lirë.

“Sa i përket cilësisë së naftës në Kosovë mund të them lirisht sipas informatave që i kemi ose sipas kontrollit që është duke u bërë, nafta është në cilësi të mirë. Naftën e kemi cilësore si shtet në regjion. Sa i përket kontrollit të cilësisë të cilin ish-ministri e selektoi dhe e dërgoi në Minitrinë e Tregtisë dhe Industrisë ai ka qenë një gabim total, por që këtë gabim e përmirësoi ministrja, Rozeta Hajdari e cila e anuloi atë udhëzim pjesërisht dhe e ktheu në Doganën e Republikës së Kosovës ku në të gjitha shtetet në regjion, Evropë e botë këtë punë e kryen dogana”.

“Është një vendim i qëlluar të cilin e respektoj dhe Shoqata e Naftëtarëve e përkrahë atë vendim plotësisht. Nga ky vendim siç u tentua nga ish-ministri ta delegoj në Ministri të Tregtisë atë, trupat inspektues vetëm kanë lexuar letrat dhe asgjë më tepër s’ka ndodhë dhe kanë marrë kanë pagu biznese 41 euro dhe tash biznesi nuk paguan nuk ka kosto dhe qytetarët kanë shancen të marrin derivatin me çmim më të lirë shkaku i këtij vendimi”.

Një nga sfidat e këtij sektori, Berjani e konsideron pastrimin e rezerevarëve të naftës i cili bëhet çdo tri vjet në Kosovë, duke thënë ai duhet të kryhet si në shtetet e tjera të regjionit.

“Ne kemi pasur problem tjetër edhe pastrimin e rezervarëve, ne nuk kemi qenë kundër që të bëhet pastrimi i rezervarëve po të bëhet siç bëhet në shtetet në regjion. Rast konkret siç e ka Sllovenia, Kroacia, Serbia, Shqipëria e jo çdo tri vite siç tentonin ish-ministriat për përfitime dhe për kompani speciale të tyre për përfitime personale”, ka thënë ai.

Gjithashtu Berjani e cilësoi si problematikë të këtij sektori moskalimin e Ligjit për Naftën që nga viti 2009, duke njoftuar se ka marrë premtim nga ministrja aktuale e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari se ky ligj do të kalojë brenda 100 ditëshit të kësaj Qeverie.

Sipas Berjanit ky ligj nuk është proceduar ndër vite për shkak të favorizimit që u është bërë disa kompanive.

“Nga institucionet ne presim që Ligji i Naftës besoj dhe shpresoj që do të kaloj në 100 ditëshin e parë të kryeministrit Kurti. Rozeta Hajdari në një takim që kisha na ftoi që të jemi në grupin punues për Ligjin e Naftës, ai draft është thuajse i përfunduar por edhe 2-3 takime obligative i kemi që të kalojmë dhe ta përpilojmë sa më mirë që të jetë i përshtatshëm për të gjithë. Ky ligj dihet se nuk ka kaluar shkaku se u tentua të favorizohen disa kompani e tash shpresojmë që sipas premtimit ky ligj të kalon. Ky ligj nuk ka kalaur prej vitit 2009 paramendoni se çfarë lufte ka qenë deri më tani ku u tentu të hiqen shumë kompani nga importi, kurse ky ligj do të jetë i përshtatshëm për të gjithë dhe këtu përfiton edhe qytetari”, ka shpjeguar ai.

Kreu i Naftëtarëve ka treguar se dëmet që ka shkaktuar pandemia në këtë sektor tashmë janë kaluar.

“Sa i përket pandemisë dihet që edhe ky sektor ka qenë i prekur, dihet se në vitin e kaluar fillimi i pandemisë kur ka qenë ky sektor ishte në kollaps, por sipas punëve që janë duke u bërë tash në terren dhe sipas pikave të karburanteve dhe kolegëve situata veç ka ndryshuar dhe ky sektor ka filluar t’i merr këmbët e veta dhe besoj që ky sektor është në nivelin e duhur të punës. Para pandemisë si çdo subjekt tjetër ashtu edhe subjektet tona-kompanitë kanë qenë në kriza të mëdha por sado kudo kjo krizë ka kaluar”, ka përfunduar ai për EO.