Limaj e quan Kurtin “veteran i rrejshëm”: Ai s’mund ta di saktë numrin e veteranëve të UÇK-së

Për Kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “veteran i rrejshëm”, pasi sipas tij i pari i ekzekutivit nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai [Albin Kurt] duhet të japë përgjigjen qytetarëve të Kosovës si kryeministër dhe të fillohet spastrimi i listave nga emri i tij. Kurti sipas ligjit për veteranë nuk është veteran, asnjë kusht nuk e plotëson”, ka thënë Limaj për Tëvë 1.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit, Kurti nuk e di fare sa është numri i saktë i veteranëve andaj është jo kompetent për këtë çështje.

“Mendojë që Kurti nuk e di se sa veteranë ka pasur UÇK-ja, personalisht nuk e di saktë sa veteranë ka pasur dhe askush nga ne saktësisht nuk mund ta di, prandaj është nxjerrë ligji. Mund të bëjmë supozime rreth numrit të veteranëve, por nuk mund të them përfundimisht numrin e saktë”, ka shtuar ai.

Ditë më parë, Kryeqeveritari, në një intervistë për KTV-në pati deklaruar se UÇK-ja nuk numëron 60 mijë veteranë të luftës, ashtu si janë regjistruar vite më parë, por 20 mijë persona.

Madje ai kishte bërë të ditur se çështje Qeveria të cilën e udhëheqë do të punojë për të gjetur mënyra që të mënjanohen deformimet e tilla.

“Veteranët e luftës meritojnë më shumë sesa paga minimale. Por edhe duhet t’i bëjmë evidencat e sakta, nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, s’mund të më gënjej mua. Maksimalisht janë 20 mijë. Duhet t’i gjejmë mënyrat sesi t’i largojmë këto deformime”, kishte thënë ai.