Limaj: Kurti është mashtrues e gënjeshtar, ka rënë në kurthin e Vuçiqit

Mashtrues, gënjeshtar e shkatërrues i vendit, janë vetëm disa epitetet që kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i thotë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ka rrejt ju ka mashtru, këta janë mashtruesit më të mëdhenj të këtij vendi e që e rrënuan e shkatërruan këtë vend”, ka thënë ai.

Për ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, Limaj tha se është duke gënjyer kur thotë që është duke shkuar në veri.

“E ka ndërtu një barakë në jug, e po gënjen që shkon në veri”, ka thënë Limaj.

Limaj, po ashtu tha se Kurti, e ka shndërruar veriun e Kosovës në vend të paqeverisshëm, derisa shtoi se policët e Kosovës, në veri janë duke u trajtuar shumë keq.

“E ka bërë gjysmën e territorit të paqeverisshëm. I ka bllokuar policinë për 13 ditë. Thoshte Hashimi po u jep “narezaka”, ky po i jep peshqi të prishtë, i ka lënë policët në rrugë. I ka lënë të pambrojtun, sillen bandat andej nuk kanë të drejtë me i kontrollu”, ka thënë ai.

Limaj tha se Kosova njëherë e ndaloi referendumin e Serbisë në Kosovë, e tash sipas tij vetë Serbia nuk po e lejon shtetin e Kosovës, të mbajë zgjedhje në territorin e saj.

“Situata ka shkuar në rrugë të pakthyeshme. Ajo pjesë është e paqeverishme. Bandat e kanë kaplu atë vend, krimi po lulëzon, Kosova atje nuk ekziston, policia atje është blloku. Duhet me ju lut institucioneve ndërkombëtare me ju dërgu ushqim atyre”, ka thënë ai.

Veprimet e Kurtit, sipas Limajt po e fuqizojnë Rezolutën 1244 dhe se po krijon protektorat në Kosovë.

“Ky po e fuqizon rezolutën 1244, ky po bën protektorat brenda territorit të Kosovës, e që ne kemi bërë luftë për ta hequr atë protektorat”, ka thënë ai në Debat Plus.

Pa një marrëveshje të madhe politike sipas Limajt nuk mund të ketë stabilitet në veri, derisa shtoi se Kosova nuk duhet të intervenojë ushtarakisht për t’i hequr barrikadat në veri.