Limaj pas takimit me Ambasadorët: Ishte takim informues, taksa është temë e ndarë nga Ekipi

0
209
Ka përfunduar takimi që nisi rreth një orë më parë mes Ekipit Negociator me ambasadorët e akredituar në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj, ka thënë se ky takim ishte informues gjatë së cilit ambasadorët janë informuar për punën e deritanishme të Ekipit në dialog.
“Takimi ka pasë qellim për të informu ambasadorët prej themelimit të delegacionit, punës, aktivitetet që ka bërë deri tash. Informuam edhe për takimin që kemi pasë në Bruksel. Edhe nga ambasadorët pati interesim dhe krijimi delegacionit ka qenë një sinjal i fuqishëm dhe shumë pozitiv i Kosovës, ose siç u tha nga ambasadorët ka qenë një përshtypje se Kosova ka qenë shumë prapa në përgatitje të dialogut në krahasim me Serbinë. Pas hartimit të delegacionit, platformës është krijuar përshtypja se Kosova është në përgatitje të plotë dhe ky është sinjal pozitiv dhe morrëm mbështetjen e tyre”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.
E kur u pyet për taksën, tha se ajo temë është e ndarë nga Ekipi dhe nuk mund të flas për këtë.
“Në delegacionin shtetëror nuk diskutohet për taksën, mandat e ka dialogun ndërsa taksa është aktivitet i përditshëm i Qeverisë”.
Ndërsa, se a do të jetë java e ardhshme vendimtare për dialogun, Limaj u shpreh se dialogu duhet të jetë angazhim i përditshëm.
“Nga përvoja ime afatizimet janë të dëmshme. Ajo duhet të jetë angazhim permanent i përditshëm i institucioneve të Kosovës për të mirëmbajtur marrëdhëniet me partnerët tanë, për të mirëmbajtur konsensusin brenda nesh, qeverisjen dhe ky është angazhim i përditshëm. Temat e rëndësishme duhet të jenë diskutim i përditshëm deri sa të kemi një qëndrim unik dhe që është në interes të vendit”.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova dhe ajo e EULEX-it, Alexandra Papdopoulou.