Limaj për Kurtin: Mashtrues, pasi pranoi ta themelojë Asociacionin, po fshihet pas Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj e quan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti mashtrues që po fshihet pas Gjykatës Kushtetuese pasi pranoi ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Limaj tha në Frontal në T7 se Kurti “ka bërë shkelje të Kushtetutës” duke arritur një “marrëveshje të dëmshme për vendin”.

“Çka po thonë këta që i kanë marrë 51%? Po duan që këtë punë t’ua lënë 9 vetave në Gjykatën Kushtetuese. Me u fshehë, me thënë ‘këqyre, ne e kemi bë një bërllok, marrëveshje katastrofale për vendin tonë, ju tash duhet ta akomodoni, t’ia gjeni vendin në Kushtetuë’. Gjykata Kushtetuese as nuk krijon e as nuk shuan institucione”, tha Limaj.

“Në 2015 Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë s’duhet bërë Asociacioni… Marrëveshjet politike i krijojnë ato punë”, tha ndër tjerash ish-zëvendëskryeministri.

Limaj tha se “do të krijohet një autonomi politike brenda sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Kosova ka pranuar formimin e Asociacionit me kompetenca të shtuara… S’ka këtu 2013, 2015, ka marrëveshje Kurti-Vuçiq nga e cila derivon draft-statuti dhe pastaj Asociacioni”, tha ai.

Limaj tha se “tanimë edhe për ata besimtarë fanatikë të z. Kurti e kanë të qartë që kryeministri i Republikës së Kosovës e ka pranuar një marrëveshje, ka pranuar asociacion dhe tani pritet implementimi”.