Limaj thotë se vendi është në rrezik nga një grup njerëzish që nuk ia do të mirën Kosovës

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka takuar strukturat e kësaj partie në Mitrovicë. Atje ai tha se duhet mobilizim pasi sipas tij, vendi është përballë një rreziku të madh.

Ai kërkon mobilizim për t’i dalë në mbrojtje vendit dhe vlerave kombëtare, përcjell Fokusi.info.

Shkrimi i plotë i Limajt në Facebook:

Pas një pushimi të shkurtër për nder të festave të fundvitit, angazhimin politik e vazhduam me takimin e sotëm me strukturat drejtuese në qytetin e Mitrovicës, të cilëve ju urova një vit të mbarë dhe i falënderova për kontributin e madh që kanë dhënë ndër vite në funksion të zhvillimit të vizionit tonë socialdemokrat.

Këtë takim të frytshëm e vazhduam duke bashkëbiseduar për zhvillimet e fundit politike, veçmas për procesin e parakohshëm zgjedhor që po na pret, për të cilin u dakorduam për tu angazhuar fuqishëm.

Këto zgjedhje të parakohshme nuk janë vetëm një proces i jashtëzakonshëm zgjedhor, por është një mundësi e madhe që të bëhemi bashkë, të mobilizohemi maksimalisht e t’i dalim në mdrojtje vendit dhe vlerave tona kombëtare, që fatkeqësisht janë venë në rrezik nga një grup i caktuar njerëzish që vetëm të mirën nuk ja donë Kosovë dhe qytetarëve të saj.