Limaj tregon nëse ka krizë brenda koalicionit qeverisës

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se koalicioni bashkëqeverisës me LDK-në dhe AAK-në është duke ecur siç duhet.

“Çdo koalicion ka telashe, vet qeverisja ka telashe. Varësisht si komentohet apo thuhen telashet. Unë besoj se koalicioni po funksionon mirë, varësisht problemeve që hasen çdo ditë .Deri më tani besoj që kjo qeverisje ka arritur që t’i kryejë disa punë të rëndësishme për vendin dhe disa hapa të rikthimeve të mira të temave të ndryshme që mbetën për kohë të gjatë si pezull, apo të patrajtuara”, tha Limaj.

Duke komentuar largimin e sotëm të ministrit të MTI-së, Vesel Krasniqi nga mbledhja tha se kjo ndodhë në secilën qeverisje dhe është gati përditshmëri që ministrat kanë edhe takime tjera.

“Sipas asaj që ka deklaruar ministri besoj e keni parë, unë as që kam biseduar sepse këto janë zhvillime që nëse lajmërohet kryeministri për angazhimet që kanë ministrat shpesh ndodhë. Për shkak të agjendës, apo mbledhjeve të rëndësishme që kanë. Shpesh ka ndodhur që në Qeveri s’kemi pasur numër për të votuar, për shkak të mungesës së ministrave, pasi agjendat nuk koordinoheshin siç duhet. Kjo është gjë e zakonshme”, tha Limaj në Dukagjin.

Limaj deklaroi se ministrat po flasin për temë qeverisëse dhe se me koalicionin kanë program qeveritar e përveç gjithë përfshirjes që ka programi, partnerët në mënyrë specifike kërkojnë edhe tema të veçanta.

“Kryeministri i duhen ministra të tillë, që janë të angazhuar në çështje specifike të vendit”, shtoi Limaj.