Lindita Nikolla: Çlirimi i Kosovës, vepër e UÇK dhe popullit kosovar

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, ka dhënë një mesazh me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Në mesazhin e saj Nikolla shkruan se çlirimi i Kosovës është vepër e UÇK e popullit kosovar, me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA e NATO.

“Sot është një ditë e shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Çlirimi i Kosovës është vepër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e popullit të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj të kombit shqiptar, ShBA dhe NATO. Kosova e pavarur dhe demokratike është rezultat i Kosovës së lirë.Shqipëria qëndron në krah të Kosovës, për përballimin e sfidave të përbashkëta. Sepse sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po bashkërendojnë diplomacinë parlamentare për përballimin e tyre”, ka shkruar Nikolla.

Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, është një kërkesë e drejtë dhe e merituar.