Moti i keq në Spanjë, humbin jetën katër persona

Moti i keq ka mbuluar pjesën më të madhe të Spanjës. Si pasojë e reshjeve të pazakonta të dëborës dhe stuhisë katër persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të bllokuar në vetura, stacione treni dhe aeroporte.

Agjencia kombëtare e motit njoftoi se që nga ora 7 e mëngjesit, reshjet e borës në Madrid arritën një nivel të pa parë në gjysmë shekulli.
Më shumë se 50 centimetra dëborë ranë në kryeqytetin spanjoll, sipas agjencisë së motit AEMET.

Trupat e një burri dhe një gruaje u gjetën nga shërbimi i urgjencës së rajonit Andaluzia pasi vetura e tyre u përmbys nga një lum i rrëmbyeshëm pranë qytetit të Fuengirola.

Ministria e Brendshme tha se një 54-vjeçar u gjet gjithashtu e pajetë në Madrid nën një grumbull të madh dëbore. Një njeri i pastrehë vdiq nga hipotermia në qytetin verior të Zaragoz.