Lirinë askush nuk na e ka fal e kemi merituar me rezistencën e vazhdueshme – mirënjohje për aleatët në përpjekjet tona për liri

Shkruan Valon Murati:

Lirinë askush nuk na e ka fal e kemi merituar me rezistencën e vazhdueshme – mirënjohje për aleatët në përpjekjet tona për liri

Liria e një populli dhe çlirimi i një vendi asnjëherë në historinë njerëzore nuk kanë ardhur si dhuratë nga askush. Po, në shumë luftëra çlirimtare, popujt dhe lëvizjet e tyre politike kanë krijuar aleat që u kanë ndihmuar në përpjekjet për liri. Shqiptarët, në Kosovë prej vitit 1912 asnjëherë nuk i ndalën përpjekjet për liri. Kjo përpjekje kishte formën e kryengritjeve, rezistencës paqësore, emancipimit, organizimit ilegal e legal. Por çdoherë objektivi ishte liria, çlirimi e vetëvendosja deri në shkëputje. Krejt këto përpjekje gati një shekullore u kurorëzuan në luftën çlirimtare të viteve 1998-99 të udhëhequr nga famëmadhja UÇK. Armiku ishte i padrejtë, i pakompromis, i egër, terrorist e nacional shovinist, por edhe ne ishim arrë e fortë, e pathyeshme nga pushtuesi serb. Në këtë luftë të fundit, në një moment të caktuar historik lufta jonë dhe populli shqiptar u ndihmua nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Kjo ndërhyrje si akt final ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës, ashtu siç ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës si proces, rezistenca e vazhdueshme e popullit tonë dhe lufta e tij e udhëhequr nga UÇK. Andaj si popull duhet të jemi krenar për luftën tonë vendimtare për lirinë tonë, ashtu siç duhet të jemi mirënjohës për aleatët që na ndihmuar në realizimin e kësaj lirie. Si luftëtar lirie nuk duhet ta ulim asnjëherë kokën sepse kemi qenë në momentin e duhur në rrugën e duhur. Si qytetarë duhet të jemi modest sepse kemi kryer një obligim ndaj adheut, popullit dhe historisë.

Nderimi dhe respekti i përhershëm i takon dëshmorëve të kombit tonë, dhe brezave të tërë të njerëzve tanë që nuk u dorëzuan asnjëherë.

Mirënjohje për të gjithë shtetet dhe popujt që na ndihmuan në këtë përpjekje tonën.

Urime të gjithëve Dita e Çlirimit!

Autori është kryetar i Lëvizjes për Bashkim.