SITUATA ËSHTË SHUMË E THJESHTË! POR, PSE “I GJITHËDITURI” NUK E “KUPTON”?

Shkruan: Shukri Klinaku

(Gara ndërmjet politikanëve bëhet para qytetarëve dhe për qytetarët. Për këtë arsye kjo garë lë gjurmë të thella në kulturën e një vendi. Për këto arsye politikani i mirë dhe largpamës ka kujdes edhe për mjetet që i përdorë, e jo vetëm për qëllimin. Me fjalë tjera, arena politike dallon shumë nga arena e një dyluftimi të çastit për mbijetesë, në të cilin çast instinkti, ndoshta edhe vetëdija, të shtynë në përdorimin e mjetit të ndyrë.)

MË 2014

Gjykata kushtetuese vendosi se: në mandatimin e parë nuk mund të anashkalohet i pari i zgjedhjeve (as në propozimin e kryetarit të kuvendit, gjë që atë botë kjo ishte kryesorja, sepse kjo e thyente bllokun); në mandatimin e dytë MUND EDHE TË ANASHKALOHET I PARI I ZGJEDHJEVE.

SOT

Presidenti dhe partitë tjera, përveç të parës nga zgjedhjet, njësoj – krejtësisht njësoj – janë duke e interpretuar aktgjykimin e Gjykatës kushtetuese si në vitin 2014, sikurse në të vërtetë shkruan në të.

MIRËPO!

Dy fakte janë të cilat këtë aktgjykim e bëjnë të papëlqyeshëm për partinë e parë të zgjedhjeve sot. Fakti i parë, presidenti si më 2014 edhe më 2020, në rastin e diskrecionit (kushtetues) nuk anonte dhe as anon sot në drejtim të subjektit që sot është i pari në zgjedhje. Fakti i dytë, i pari i zgjedhjeve sot nuk është në gjendje ta ndërtoj qeverinë, nuk është në gjendje ta “thyej bllokun” e partive tjera, ndryshe do t’i mjaftonte mos-anashkalimi i parë.

PSE “I GJITHËDITURI” SËRISH NUK NDJENË PËR BESIMTARËT E VET, POR I GËNJEN ATA?

Ata që besojnë se “i gjithëdituri” i di të gjitha dhe është vet “drejtësia hyjnore” – besimtarët e tij – nuk kanë faj që besojnë (edhe për një kohë), por si nuk i vije keq ”të gjithëditurit” për ta, që i gënjen dhe i shtynë në gënjeshtër? Si nuk i vije keq për këshilltarët e deputetët besimtarë (disa prej tyre edhe doktorë shkence) që i shtynë të gënjejnë në kor me të?

POLITIKË? PËR QËLLIM POLITIK SËRISH DEFORMON FAKTIN E THJESHTË?

Çka mund të presim prej politikës së një “të gjithëdituri”, i cili për qëllim politik (më saktë, për qëllim pushteti) deformon dhe manipulon edhe me faktet më të thjeshta?

NDAJ KUNDËRSHTARIT “GËNJESHTAR DHE HAJN” – LEJOHET GËNJESHTRA?!

Ndoshta lejohet në raporte tjera! Por, jam i bindur se nuk lejohet në arenën politike nga politikani që e do popullin e vet dhe dëshiron ta udhëheqë atë me dinjitet.

NDËRTIMI I QEVERISË NGA I DYTI I ZGJEDHJEVE, NË RRUGË KUSHTETUESE, DO TË ISHTE E SHËNDETSHME PËR DEMOKRACINË!

Konsideroj se në horizont duket ndërtimi i një qeverie të re, e cila mendoj se do të bëj një qeverisje të keqe. Por, ndërtimi i saj është kushtetues dhe i shëndetshëm për demokracinë. Opozitës së qeverisë së re i mbetet të punoj në rrugë ligjore dhe vetëm ligjore që ta marrë pushtetin e të bëj qeverisje më të mirë.