Lista Serbe paralajmëron votimin e mocionit të Vetëvendosjes për rrëzimin e Qeverisë Hoti

Qeveria e Hotit duket se i ka ditët e numëruara. Mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë aktuale duket se do të marrë përkrahje edhe nga Lista Serbe.

Burime të Indeksonlinet njoftojnë se Lista Serbe është e gatshme të përkrahë mocionin e partisë së Albin Kurtit dhe se vota e tyre do të jetë PRO rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Lista Serbe, do të votojë pro mocionit, sepse sipas saj koalicioni aktual në Qeverinë e Hotit nuk po e respekton aspak marrëveshjen që ka me ta.

Goran Rakiq e Igor Simiq nga Lista Serbe pak javë më parë konfirmuan për Indeksonlinen pakënaqësitë e tyre në koalicion duke paralajmëruar që atëherë mundësinë e rrëzimit të Qeverisë së Hotit.

Duket se kërkesat e tyre nuk janë përmbushur dhe Lista Serbe është e vendosur që të votojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë aktuale.