Lladrovci: Nuk kam pritur një kriminel si Vuçiqi të konsiderohej paqeruajtës

Lidhur me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit, Ramiz Lladrovci thotë se është folur rëndë për ndërkombëtaret.

Lladrovci thotë se nuk e ka pritur që një kriminel si Vuçiqi do të konsiderohej paqeruajtës apo prodhues i paqës.

“Nuk mund të jem ndoshta këshilltar i mirë, por, kur ia drejton dikujt një gisht, tre i ke nga vetja, andaj duhet kujdes. Janë folur fjalë të rënda drejtuar miqve ndërkombëtarë kohëve të fundit dhe nuk kisha pasur dëshirë që kryeministri i vendit tim të jetë as i izoluar, as i sanksionuar, aq më pak kam pritur që një kriminel si Vuçiq të konsiderohet paqeruajtës apo prodhues i paqes”, u shpreh ai.

Ai thotë se arritja deri në këtë pikë nuk është pozitive për Kosovën.

Lladrovci kërkon që vendi të jetë prioritet.

“Dihet kush është kush dhe më vjen fort rëndë për këtë ndryshim pozitash dhe arritja deri te kjo pikë aspak pozitive për ne. Kosova është më e madhe se çdo lider dhe çdo parti politike, andaj, Kosova le të jetë prioritet me të ardhmen e saj, brenda vlerave euro-atlantike”, tha ai për Front Online.

Mbledhja e dy qeverive, të Kosovës e Shqipërisë, ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë.

Deri më tash janë mbajtur tetë mbledhje të tilla.